Drejtori i policisë vendore Shkodër Ervin Hodaj gjatë mbledhjes së Task Forcës Antikanabis tha se kërkohet një qasje e re për goditjen e grupeve kriminale në luftën ndaj drogës. Drejtori Hodaj u shpreh se më shqetësuese mbetet situata tek adoleshentët dhe të rinjtë që përdorin apo shpërndajnë kanabis.
Drejtori Hodaj tha se policia ka aftësi për t’u përballur me grupet kriminale të drogës pavarësisht resurseve që ata kanë. Sa i përket ardhjes së DEA-s amerikane në Shqipëri për të luftuar drogën, Hodaj u shpreh se nuk ka informacion.
Zona malore e Dukagjinit vijon që të jetë një zonë problematike për kultivimin e kanabisit por një përgjegjësi për këtë tha drejtori Hodaj nuk ka vetëm policia e shtetit por edhe institucionet e tjera.
Drejtori i OSHEE Shkodër Armand Zhuka kundërshtoi drejtorin e policisë. Zhuka tha se nuk ka informacion për 16 punonjësit e OSHEE të proceduar për “shpërdorim detyre” lidhur me mungesën e informacionit për konsumimin e energjisë elektrike në shtëpitë e barit të gjetura.
Ndërkohë mbledhja e Task Forcës Antikanabis vijoi me dyer të mbyllura ndërsa mësohet se është shoqëruar me debate mes drejtorëve të pranishëm të institucioneve të tjera, kryetarëve të bashkive me policinë vendore të Shkodrës pikërisht për procedimet që policia bën ndaj punonjësve të institucioneve të ndryshme lidhur me rastet e kultivimit të kanabisit.