Droga nga Shqipëria në Itali, ekstradohet trafikanti nga Tirana

Një 32-vjeçar, i cili ndodhej pas hekurave në vendin tonë, është ekstraduar një ditë më parë drejt Italisë. Eldi Doma, i cili rezulton banues në Tiranë, është dënuar me 20 vjet burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” nga gjykata e Shkallës së Parë në Padova të Italisë, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia. Për këtë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Doma është arrestuar vitin e shkuar në Shqipëri gjatë një operacioni paralel nga policia italiane dhe ajo shqiptare. Ai bënte pjesë e një grupi që sipas hetimeve, kanë trafikuar 50 kilogram drogë e llojit heroinë nga Shqipëria në Itali, çdo muaj, që nga nëntori 2014 deri në tetor 2015. Gjatë aksionit në dy shtete, është sekuestruar sasi e madhe droge dhe parash. Tashmë, Doma është ekstraduar drejt vendit fqinjë ku pritet të vuajë dënimin me dy dekada burg të caktuara nga gjykata italiane.

Artikulli paraprakAKSIDENTET ME VDEKJE, SHQIPËRIA E TRETA NË EUROPË
Artikulli tjetërORGANET E VETTINGUT, ONM NIS SHQYRTIMIN E 101 KANDIDATËVE