Mbi 20 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë janë gjetur dhe sekuestruar nga policia vendore e Shkodrës në zonën e Dukagjinit. Rreth 250 forca policie nga drejtoria vendore e Shkodrës, FNSH e Shkodrës, Lezhës, Fierit dhe forcat RENEA prej disa ditësh vijojnë kontrollet intensive në pjesët malore të Dukagjinit. Po ashtu janë angazhuar forcat e Ushtrisë shqiptare bashkë me helikopterë, dronë të specializuar për kontrollin e territorit dhe mjete të tjera logjistike në shërbim të policisë për goditjen masive të parcelave me kanabis në zonën e Dukagjinit. Ky aksion me afro 250 efektivë të Shkodrës dhe disa qyteteve të tjera të Shqipërisë do të vijojë për afro një javë me qëllim goditjen e të gjitha parcelave të drogës. Këto aksione të përditshme me forca të shtuara po zhvillohen në kuadër të operacionit kombëtar “Territor i Pastër” me qëllim asgjesimin e kanabisit.
Gjatë këtij operacioni, forcat e policisë disa herë kanë hasur vështirësi për shkak edhe të terrenit të thyer malor në fshatrat e Dukagjinit. Ndërkohë deri më tani sipas informacioneve policore nuk ka persona të ndaluar kjo për shkak se kultivuesit e drogës në Dukagjin janë të favorizuar nga terreni i thyer malor dhe sapo konstatojnë policinë largohen në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Gjithsesi forcat e policisë të ndihmuar edhe nga RENEA dhe FNSH janë duke hetuar lidhur me çdo rast për identifikimin e autorëve e më pas gjetjen dhe kapjen e tyre.
Ndërkohë zona malore e Dukagjinit në Shkodër vijon që të jetë një prej pikave më problematike sa i përket kultivimit të kanabisit duke mos dalë prej vitesh nga harta e kuqe, një shqetësim ky i ngritur pak kohë më parë edhe nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Pavarësisht kësaj në këto 6 muaj të parë të vitit nga operacionet antikanabis të zhvilluara në qarkun Shkodër, efektivët e policisë kanë arritur që të asgjesojnë afro 170 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë dhe po ashtu sasi droge e përpunuar e gatshme për treg. Operacioni kombëtar “Territor i Pastër” do të vijojë në qarkun Shkodër ku përveç Dukagjinit që është zona më problematike, po ashtu shqetësuese mbeten zonat malore në Malësinë e Madhe, Vau Dejës apo Pukë, pa harruar njësi administrative të Shkodrës si Postriba, Velipoja apo Ana e Malit ku policia ka zhvilluar herë pas here aksione antikanabis.