Drogë për në Turqi, sekuestrohen në Kapshticë 79 kg kanabis
Policia kufitare në Kapshticë ka sekuestruar një sasi prej 79 kg kanabis sativa dhe ka arrestuar në flagrancë transportuesin e saj. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar Ardian Dula, 41 vjeç nga Tirana. Kamioni i tij është paraqitur në dalje të kufirit shqiptar, ku për shkak të dyshimeve mjeti iu nënshtrua një verifikimi në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e tavanit të rimorikios, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në brendësi të tubave të cilat mbanin skeletin e mbulesës së rimorkios, u konstatuan tuba të tjerë me ngjyrë portokalli, brenda të cilëve u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia e drogës. Nga hetimet e kryera rezulton se Dula kishte si destinacion Turqinë.