Nga një bazë ushtarake në Itali do të nisen dronë të armatosur amerikanë, për të kryer operacione kundër Shtetit Islamik në Libi dhe Afrikën e Veriut.
“Wall Street Journal” ka bërë të ditur lajmin, sipas të cilës zhvillimi i ri vjen pas një viti negociatash mes qeverisë amerikane dhe asaj italiane. Por ndezja e dritës jeshile nga Roma zyrtare ka ardhur me një kusht, që avionët e telekomanduar të përdoren vetëm për qëllime mbrojtëse, “konkretisht për të mbrojtur forcat speciale amerikane në Libi”. Duke cituar burime nga administrata amerikane, “Wall Street Journal” shkruan se “dronët e armatosur do të nisen në rast nevoje nga baza e Sigonelës, në Siçili, ku janë vendosur prej një viti”. Burime pranë Ministrisë italiane të Mbrojtjes kanë deklaruar se aktivitetet nuk kanë nisur ende dhe se herë pas here do të duhet autorizimi i qeverisë italiane, që ka kërkuar që operacionet të jenë të kufizuara.