Duket e pabesueshme se si rrugët në qytetin e Shkodrës janë amortizuar aq shumë saqë lëvizja e qytetarëve bëhet shpeshherë e pamundur.
Të njëjtin fat kanë patur edhe disa segmente përgjatë unazës perëndimore të qytetit, ku ndërhyrje nuk ka patur gjatë dy dekadave. Më problematike paraqitet situata në rrugën Drishtej të lagjes Dudas, ku mungesa e kanalizimeve ka penalizuar lëvizjen e rreth 500 banorëve. Fëmijët nga ana tjetër e kanë të pamundur të kalojnë përmes pellgjeve me ujë dhe detyrohen të përdorin rrugica dytësore si të vetmen mundësi për të lëvizur. Investimet e bashkisë Shkodër nuk kanë përfshirë këtë zonë, pavarësisht se me investime modeste, kjo rrugë mund të bëhej e kalueshme edhe gjatë sezonit të reshjeve. Të vetmit që shqetësohen janë banorët e zonës, zëri i të cilëve vazhdimisht ka mbërritur në vesh të shurdhër. Siç thonë edhe ata, tashmë lëvizja e tyre e fundit është hartimi i një peticioni me firmat e qytetarëve të lagjes, ku do i kërkohet bashkisë Shkodër rikonstruktimi e rrugicave problematike në lagje.