Një emigrant i paligjshëm shqiptar ka dalë para Gjykatës së lartë në Sheffield të Britanisë së Madhe, pasi më parë kishte pranuar për hetuesit se mbikëqyrte dhe kujdesej për të një fermë kanabisi, në pronën në Yorkshire e Jugut, ku edhe u arrestua.

Arvanit Dodaj, 29 vjeç ka rrëfyer se ishte i detyruar të rriste bimët e kanabisit, në mënyrë që të mund të paguante një borxh prej 5,000 £. Dodaj i tha policisë se kishte hyrë ilegalisht në vend dhe atij iu ofrua puna për t’u kujdesur për bimët për të shlyer borxhin.

Hetuesit i treguan gjykatësit provat sesi i riu shqiptar u kap i fshehur në papafingon e një prone ku policia gjeti 318 bimë kanabis, të ndara në pesë dhoma.

“Sapo hynë në banesë, oficerët gjetën një numër të madh bimësh kanabisi në dhoma. Vetëm një dhomë nuk përdorej për kanabis dhe ajo dukej të ishte përshatuar në dhomë për banim. Në këto pesë dhoma të tjera kishte gjithsej 318 bimë kanabis. I pandehuri u gjet në papafingo, i fshehur pas paneleve dhe çarçafëve”, zbuloi prokurori Samuel Ponniah.

Policia gjeti gjithashtu 138 £ në një sirtar dhe një portofol me 213,51 £ në para cash gjatë bastisjes në Cooper Street, Hyde Park të Doncasterit. Dodaj u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit të drogës së klasit B dhe për zotërimin e pasurisë kriminale, përkatësisht parave të gatshme, pas bastisjes më 21 korrik.

Avokati i mbrojtjes Michael Cane-Soothill tha: “I pandehuri kishte një funksion të kufizuar në drejtimin e aktivitetit kriminal dhe nuk ishte i përfshirë nga presioni, por nga një shkallë shfrytëzimi për shkak të rrethanave të tij. Unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë përfshirje në nivel operacional apo menaxherial”.

Cane-Soothill shpjegoi se Dodaj synon të kthehet në Shqipëri dhe të punojë për të shlyer borxhin e tij.

“Ai ka kërkuar falje në gjykatë dhe shpjegoi se i vjen sinqerisht keq për gjithë telashet që ka shkaktuar”, tha më tej avokati.

Dodajn u dënua me 20 muaj burg, dhe gjykatësi Graham Reeds QC, i tha se u përfshi në këtë mekanizëm kriminal për para.

“Unë e pranoj se paratë do të ishin përdorur për të reduktuar borxhin që keni bërë kur keni zgjedhur të hyni ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi ai.

Artikulli paraprak“NA DUHEJ PËR AKUARIUMIN”, TURISTËT VJEDHIN 6 KG RËRË NË SARDENJA, VENDASIT I DENONCOJNË DHE POLICIA I GJOBIT ME 1 MIJË EURO
Artikulli tjetërARRIGO SACCHI NDEROHET ME ÇMIMIN E VEÇANTË, IA JEP VETË PRESIDENTI I UEFA-S