Në podcastin ‘Flasim’ ku kishte të ftuar një shtetas britanik, që siç tha Kryeministri ishte i dashuruar me Shqipërinë, Edi Rama ka bërë dallimin ndërmjet jetesës në Shqipëri dhe Britaninë e Madhe, teksa u shpreh se atje është vështirë të gjesh ndjenjën e komunitetit që ekzistonte dikur.

Rama u shpreh se në Angli duhet të bësh dy punë, përndryshe është e papërballueshme për të jetuar.

Kryeministri theksoi se rrogat në krahasim me Shqipërinë kanë dallim të madh, por theksoi se “çfarë mbetet pas asaj page, kur vjen fjala për qiranë, taksat, faturat për të paguar, është e papërballueshme në Britani, apo kudo tjetër në Evropë”.

Rama u shpreh se “duhet vendosur në peshore”, ndërsa shtoi se “i kuptoj njerëzit që duan të sfidojnë veten, duke u përpjekur aty ku mendojnë se mundësitë janë më të mëdha”.

“Nuk di shumë për Britaninë, por kam ndjesinë se edhe nuk është e lehtë të gjesh atë ndjenjë komuniteti që ekzistonte dikur, është bërë shumë më i largët.

Isha në Londër për tu takuar me shqiptarët dhe historia e dëgjuar rëndom, shumë rëndom dhe po flas për njerëz që janë të stabilizuar, punojnë shumë, që nisi nga përpjekja për të bërë gjithçka dhe tashmë kanë familje, fëmijë. Ishte e njëjta gjë: Duhet të bësh dy punë, përndryshe nuk ia del dot.

Sigurisht që në disa aspekte është mirë për fëmijët, por nuk është kaq e mirë edhe fëmijët. Koha e lirë për të shpenzuar me familjen është zero.

Kam pasur këtu njerëz që kanë ardhur nga emigracioni dhe thonë të njëjtën gjë. Kur njerëzit i shohin pagat nga këtu dhe bëjnë krahasimin, sigurisht që është dallim i madh.

Por çfarë ka pas asaj page, kur vjen fjala për qiranë, taksat, fatura për të paguar, është e papërballueshme në Britani, apo kudo tjetër në Evropë.

Pra duhet vendosur në peshore, por megjithatë unë i kuptoj njerëzit që duan të sfidojnë veten, duke u përpjekur aty ku mendojnë se mundësitë janë më të mëdha. Kjo është normale”, tha Rama.

Artikulli paraprakMUNICIONE, UNIFORMA DHE ARMATIME ‘MADE IN ALBANIA’, MINISTRI VENGU: BRENDA JAVËSH NISIN NEGOCIATAT
Artikulli tjetërBERISHA: PENSIONISTËT U MASHTRUAN, ÇMIMET E USHQIMEVE TË SHPORTËS DHE ILAÇEVE U RRITËN 3.7 HERË MË SHUMË SE INFLACIONI