Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane, ku ka bërë një analizë të suksesit të fundit të Kombëtares shqiptare, që u kualifikua për të dytën herë në histori në finalet e një Kampionatit Europian pas një edicioni të shkëlqyer në fushatën kualifikuese, ku arriti të renditej në vendin e parë të grupit. Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur për ndryshimet e mëdha që kanë transformuar rrënjësisht futbollin shqiptar falë strategjive dhe politikave të FSHF-së, qoftë në drejtim të infrastrukturës apo edhe të edukimit të profesionistëve që punojnë çdo ditë me futbollin.
Sa i përket finaleve të Euro 2024, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se Kombëtarja duhet ta shijojë në maksimum këtë eksperiencë dhe pavarësisht forcës së kundërshtarëve, duhet të tentojë të kalojë grupin.
– Si po shkojnë përgatitet e Kombëtares shqiptare dhe drejtuesve teknik për fazën finale të Euro 2024?
– Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Çekisë, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Europian në Gjermani.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja për Kombëtaren shqiptare në këtë turne madhor ndërkombëtar?
– Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e tetë viteve. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën.
– Në grupin tuaj, keni kundërshtarë të fortë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Çfarë prisni të arrini ndaj këtyre rivalëve?
– Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit. Kroacia është gjysmë-finaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta. Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe.
– Cila është rëndësia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një turne kaq madhor të mirë si Euro 2024 dhe rëndësia që ka për futbollin shqiptar?
– Pjesëmarrja në kompeticione të mëdha si finalet e Kampionatit Europian apo Botëror, sigurisht që janë ngjarje të mëdha për ekipet kombëtare të vendeve të mëdha, e jo më, për një vend të vogël si Shqipëria. Në finalet e Europianit “Francë 2016”, ne morëm pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq të madhe futbollistike. Ishte vërtet shumë emocionuese dhe u përjetua si e tillë, jo vetëm nga ne, ekipi dhe stafi. Por nga të gjithë shqiptarët, anë e mbanë botës. Mund të them që, nga periudha e eliminatoreve të atij Europiani dhe në vijim, ekipi kombëtar dhe arritjet e futbollit në vend, janë përjetuar si ngjarjet më të rëndësishme dhe janë kthyer në festa për të gjithë kombin shqiptar. Mund të them se futbolli gjatë këtyre viteve ka rritur krenarinë kombëtare të shqiptarëve dhe me të drejtë.
– Si e promovoni zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe si ndikon ky sukses në sportin shqiptar?
– Asnjë sukses nuk arrihet në një ditë. Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë. Për më tepër në kohët e sotme. Kur ritmet janë shumë të larta dhe futbolli, duke qenë loja më e rëndësishme në botë, ka një vëmendje të madhe. Na duhet shumë punë për t’u ngjitur lart. Për të arritur rezultate në futboll duhet pasion, të punosh fort dhe fat. Në rastin tonë janë dy të parat pasioni dhe puna e fortë dhe e programuar, me strategji e objektiva të qartë. Prej kohësh ne kemi hartuar dhe miratuar strategji për zhvillimin e futbollit në vend, që përfshin shumë elementë që ndikojnë në arritjen e rezultatit. Më të rëndësishmet kanë qenë përmirësimi i përditshëm i infrastrukturës, edukimi i stafeve, zhvillimi i futbollit të fëmijëve, etj. Të gjitha këto, kanë ndikuar në arritjen e rezultateve pozitive. Kualifikimi për në finalet e Europianit “Gjermani 2024”, ka qenë një nga objektivat e strategjisë “Futbolli për Kombin”, të përgatitur e miratuar kohë më parë. Të qartë për vështirësitë, ne jemi përpjekur dhe kemi punuar fort ditë pas dite, për t’i realizuar ato. Padyshim që entuziazmi që sjell suksesi rrit më shumë vëmendjen dhe interesin për futbollin.