Të udhëtosh nga Shkodra drejt fshatrave të Dukagjinit në këto ditë kur reshjet e borës kanë rënë me intensitet të larta atje është një aventurë e rrezikshme.
Pavarësisht kësaj kryesisht shoferët nuk tremben dhe për problemet që kanë banorët të paktën deri aty ku mjetet mund të shkojnë e bëjnë atë aks rrugor. Deri në Prekal të njësisë Postribë rruga është e asfaltuar dhe nuk ka ndonjë problem.
Pak para se të futemi në aksin e amortizuar takojmë Pllum Markun, fadromisti i cili këto ditë është munduar që të mbajë hapur të paktën një pjesë të rrugës. Ai nuk ka mundur të shkojë më shumë se deri në Karmë të Kirit sepse atje bora shkon mbi 1 metër.
Ende pa u ngjitur, në një zonë të banuar Mirash Kroni është një shofer i cili teksa po udhëtonte me disa pasagjerë duke i dërguar drejt Dukagjinit është aksidentuar dhe ka rrezikuar të bie 200 metër poshtë në humnerë si shkak i trashësisë së borës në rrugë.
As infermieri i njësisë Pult Gjon Ndou nuk ka mundur që të shkojë për të qenë pranë banorëve. Ai thotë se nevojat në fshat janë të mëdha por rruga është e bllokuar dhe është kthyer në gjysmë të udhëtimit të tij.
Në Prekal të njësisë Postribë banorët nuk kanë një qendër shëndetësore dhe kjo për ta është shqetësim i madh.
Pak pa shkuar në Karmë të Kirit Nard Polia është një banor i fshatit turistik të Thethit i cili edhe pse me një fouristradë të lartë dhe të fuqishme është detyruar të kthehet pas.
Ai nuk ka mundur të shkojë tek familja e tij dhe bujtina në Theth që ka bashkë me të vëllanë. Dëmi që i shkaktohet banorëve dhe biznesit thotë ai është i madh.
Shoferi Kujtim Gjoni që mori guxin të rrugëtojë me ne dhe mjetin e tij thotë se ka 20 vite që udhëton në atë aks që është i rrezikshëm edhe verës dhe jo më në dimër ku bora shkon deri në 1 metër.
Nga Karma e Kirit dhe deri në Theth janë të paktën 300 familje të izoluara nga bora për shkak se të dy anët e rrugës, ajo nga Qafë Thorja dhe përgjatë lumit Kir ku udhëtuam ne janë të bllokuara nga bora.
Kjo situatë është prezente prej 28 vitesh dhe ende strukturat shtetërore nuk marrin masa që të paktën njëra anë e rrugës të jetë e hapur për banorët.