Nëse nuk dërgohet një helikopter Bledar Beluli i forcave speciale rrezikon seriozisht jetën. Efektivi i RENEA-s Bledar Beluli i cili është rrëzuar në Theth të Dukagjinit ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se efektivi ka thyer duart ndërsa edhe brinjët ndërsa mendohet se ka dëmtime edhe në pjesën e legenit dhe është në një situatë të vështirë.

E vetmja mundësi raportojnë banorët që ndodhen në vendngjarje për ta shpëtuar është vetëm përmes helikopterit, në të kundërt jeta e tij është në rrezik. Efektivi Beluli është rrëzuar që në orën 7:30 të mëngjesit dhe pavarësisht informacionit për rrëzimin e tij strukturat shtetërore po veprojnë me shumë ngadalësi ndërsa jeta e tij është në rrezik.

Një grup i FNSH Shkodër janë nisur drejt vendit të ngjarjes ndërsa aty ndodhen edhe disa banorë por është e pamundur që efektivi i rrëzuar të nxirret fizikisht. Ai ka rënë rreth 100 metër poshtë një shkëmbi në një terren tejet të thepisur që nuk lejon ecjen në këmbë dhe asnjë lloj veprimi tjetër. E vetmja mundësi për t’u ulur aty është përmes konopëve ndaj kërkohet vetëm ardhja e helikopterit për ta shpëtuar nga ajri duke ulur barrelën me litar që kanë helikopterët dhe me ndihmën e banorëve në të kundërt çdo formë tjetër rrezikon jetën e tij.

Temperaturat atje ku është rrëzuar janë të ulëta ndërsa banorët kanë ndezur një zjarr fillimisht por zjarri është fikur dhe i plagosuri vazhdon që të jetë në mes të ftohtit dhe me shumë dëme në trupin e tij. Përveç banorëve që po bëjnë maksimumin, strukturat shtetërore nuk kanë asnjë angazhim serioz ndryshe nga herët e tjera kur janë rrëzuar shtetas të huaj ku angazhimi ka qenë maksimal.

Artikulli paraprakDUKAGJIN, EFEKTIVI I RENEA-S BIE NË GREMINË, PRITET NDËRHYRJE NGA AJRI
Artikulli tjetërRAMA INSPEKTON PALLATET E DËMTUARA NË DURRËS, INXHINIERI IZRAELIT- BANORES: DUHET TA PUTHNI BANESËN, JU KA MBROJTUR!