Ekspozita “Dy rrugët e Idromenos” e Adrian Pacit, që u hap pak ditë më parë në muzeun “Maubi” përveç tërheqjes së vizitorëve të shumtë, po shërben edhe për frymëzimin e të rinjve në krijimet artistike.
Të martën pasditë u organizua në këtë muze workshop-i “Marubi fanzine” me nxënësit e Liceut Artistik të Shkodrës. Duke u nisur nga kjo ekspozitë këta të rinj krijuan fanzina të ndryshme, ku me elemente të “Dy rrugëve” shprehen secili vizionin e tyre personal. Fanzinat janë faqosje me materiale fotografike, të cilat në vende të ndryshme të botës janë shumë të përhapura. Drejtorja e arkivës pranë muzeut “Marubi”, Blerta Hoçia, tha se ky aktivitet shërbën për t’i mësuar të rinjtë e sotëm me punën e dorës, larg teknologjisë ku çdo gjë merret gati. Aktivitete të tilla do të vazhdojnë deri më 30 prill, datë në të cilën mbyllet kjo ekspozitë. Pjesë e workshop-eve të ngjashëm do të jenë nxënës të arsimit të mesëm të shkollave të ndryshëm në Shkodër. Përmes tyre të rinjtë do të njihen më shumë me një artist shumëdimensional, siç ishte Kolë Idromeno.