Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) është dekoruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga 10 kampionët antikorrupsion për 2024. Sekretari amerikan i pranishëm në këtë takim, Antony Blinken deklaroi se Dumani është një nga njerëzit më të besueshëm në Shqipëri.
Në lidhje me këtë çmim të marrë nga kreu i SPAK, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë. Në njoftimin e ambasadës amerikane thuhet se shpreh urime për Dumanin, duke shtuar se ky çmim nderon guximin e kryeprokurorit të SPAK për të vënë drejtësi në vendin tonë.
“Ambasada e SHBA i shpreh urimet Altin Dumanit për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024 në vlerësim të përpjekjeve të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit. Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar. Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Ambasada e SHBA do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK dhe me të gjithë institucionet e drejtësisë për të bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.