Nga Durrësi, zëdhënësja e qeverisë njëkohësisht ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se po vijojnë inspektimet dhe se deri tani janë bërë 850 verifikime.
“Bëra një takim me shtabin e përgjithshëm në Durrës dhe u informova se 24 grupe të verifikimit kanë bërë 850 verifikime për t’u siguruar që rrezikshmëria të përjashtohet si mundësi, pastaj për të bërë akte konstatimi mbi vlerësimin e dëmet. Këto grupe janë duke punuar,
kanë një kalendar për të gjitha lagjet e Durrësit, po punohet edhe në Tiranë për të evidentuar dëmet në banesa. E kuptojmë ankthin e këtyre banorëve që janë të paduruar për të marrë një përgjigje për banesat e tyre.
2000 banorë janë në hotele në bregdetin e Durrësit. Është bërë një punë e mirë. Ka edhe të tjerë që janë ende të pasistemuar, e para është siguria, u bëj thirrje banorëve të mos hyjnë në banesat me rrezik.
Duhet t’u japim shpresë njerëzve me projektin e rindërtimit. Dje kaluam buxhetin, ka një paketë të tërë për familjarët e të dëmtuarve dhe atyre që humbën jetën, por do të përfshijë edhe fonde të tjera. Lagjet e reja do të jenë të qëndrueshme dhe pse jo për të goditur dhe gjetur fajtorë aty ku ka, për ndërtime apo ndërhyje të paligjshme” tha Spiropali.