Sot do të zhvillohet një takim joformal i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, takimi i dytë ky pas samitit të Triestes, ku mori pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Sërish do të mblidhen bashkë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo më larg se gjashtë javë pas samitit të Triestes e takimit të Podgoricës. Kryeministri Edi Rama pret në Durrës kryeministrin në detyrë të Kosovës, Isa Mustafa, atë maqedonas, Zoran Zaev, kryeministrja serbe, Brnabic, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markovic si edhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Denis Zvizdic.
Në Durrës pritet të jetë i pranishëm edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin e Rajonet, Johannes Hahn. Pas samitit të Triestes, Durrësi do të konkretizojë edhe më tej projektet e BE-së për Ballkanin. Zona ekonomike rajonale për të cilën u ra dakord gjatë samitit të Triestes pritet të jetë në krye të axhendës së bisedimeve, por edhe shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale.
Takimi i menjëhershëm në Podgoricë pas Triestes, dhe tani në Durrës, në vazhdimësi të Procesit të Berlinit para tre vjetësh, është shenjë e interesit të lartë në rajon për bashkëpunimin rajonal. Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve në rajon.
“Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune,…tjetra deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliardë euro, për të arritur diçka në këtë rajon.”