Akademia Vllaznia ka siguruar dy fitore në ndeshjet e rradhës në kampionat, me dy grupmoshat U-17 dhe U-19. Kështu, U-19 mposhti Bylisin me rezultatin e thellë 6-1, ndërsa U-17 fitoi ndaj Shkëndijës së Tiranës 3-0. Sa i takon ndeshjes së 19-vjeçarëve, përballja e tyre ishte me shumë interes, duke qenë se luanin ndaj Bylisit, një rival direkt. Megjithatë, në fushën e lojës, Vllaznia u tregua superiore në çdo aspekt, teksa skuadra shkodrane arriti të shënojë plot gjashtë gola. Golat për kuqeblutë erdhën nga Zaganjori, Ara dhe nga Klajdi Halili që shënoi katër herë për ekipin e tij. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë U-19, Vioresin Sinani, theksoi se e kishte parashikuar të vështirë përballjen me Bylisin, por paraqitja e shkëlqyer e ekipit të tij, e bëri më të lehtë fitoren e Vllaznisë.

Edhe kapiteni i Vllaznia U-19, Gabriel Rroku, ishte shumë i kënaqur nga kjo fitore e arritur.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia U-17 arriti të fitojë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Shkëndijës së Tiranës. Të tre golat e shënuar për kuqeblutë erdhën nga një autor i vetëm, pikërisht nga sulmuesi Xhesild Kapllanaj, i cili po shkëlqen ndeshje pas ndeshje me paraqitjet e tij. Trajneri i Vllaznia U-17, Ersi Çaku, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, u shpreh i kënaqur për fitoren.

Pas javës së 10-të, Vllaznia U-19 renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 20-pikëve, ndërsa Vllaznia U-17 në vendin e gjashtë të renditjes me 12-pikë.

Artikulli paraprakPROMOVOHET LIBRI “MAGJISTARI I REVE”
Artikulli tjetërMBYLLET PJESA E PARË 0- 1 PËR SHKODRANËT