Akademia Vllaznia ka siguruar dy fitore në ndeshjet e rradhës me dy ekipet e saj, U-19 dhe U-17. Kështu, në duelin e U-19 ndaj Apolonisë, sulmuesi kuqeblu Kevin Dodaj është treguar fantastik, duke shënuar tre gola dhe duke i dhënë fitoren 3-2 Vllaznisë. Fillimisht, në minutën e 19-të, ai fitoi një 11-metërsh, ku nga pika e bardhë u tregua i saktë dhe e dërgoi topin në rrjetë. Në të dytën, gjërat do të ndryshonin, ku Apolonia fillimisht barazon shifrat dhe më pas përmbys rezultatin, duke i surprizuar të gjithë, por jo Kevin Dodajn. 18-vjeçari i talentuar shënoi golin e barazimit në minutën e 79-të dhe dy minuta më vonë edhe golin e fitores dhe të tretin personal, duke i dhënë Vllaznisë në këtë mënyrë një fitore me shumë vlerë.
Nga ana tjetër, edhe Vllaznia U-17 është rikthyer tek fitorja në kampionat, duke mposhtur me rezultatin 2-0 ekipin e Apolonisë, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. 45-minutëshi i parë u mbyll në shifra të barabarta, por krejt ndryshe do të rezultonte pjesa e dytë, ku shkodranët e nisën menjëherë në sulm dhe arritën të shënojnë golin e avantazhit në minutën e 59-të, me anë të futbollistit Klenis Smakaj. Dy minuta më vonë do të ishte sulmuesi Xhesild Kapllanaj që do të dyfishonte shifrat dhe kështu Vllaznia U-17 arrin ta fitojë krejt ndeshjen me rezultatin 2-0, duke marrë tre pikë të vlefshme për ecurinë e saj në kampionat.
Pas këtyre ndeshjeve, Vllaznia U-19 është ngjitur në kuotën e 29-pikëve, duke udhëhequr për momentin renditjen, ndërsa Vllaznia U-17 është ngjitur në kuotën e 21-pikëve dhe mban aktualisht vendin e pestë në renditje.
https://youtu.be/Vx0uMEUK6HI