Aksioni për pastrimin e akseve kombëtare ka nisur prej dy javësh dhe sipas grupit të punës është pastruar një pjesë e mirë e territorit.

Gjatë këtyre dy javëve rrethrrotullimi Rrogozhinë-Plepa në të dyja drejtimet është pastruar në masën 90%. Në këtë aks janë hequr 85 tabela, është bërë spostimi i materialeve të vendosura në anën e rrugës. Gjithashtu, janë hequr tezgat e tregtimit dhe dy kioska të lëvizshme. Aksi Vorë-Fushë Krujë në të dyja drejtimet është pastruar duke hequr 60 tabela. Është bërë spostimi i objekteve të ngurta të tregtueshme të pozicionuara në anën e rrugës si goma dhe materiale të tjera.

Fundjavën që kaloi aksioni u përqëndrua në aksin Elbasan-Rrogozhinë dhe është arritur të bëhet pastrimi deri në hyrje të Peqinit. Janë hequr 67 tabela, është bërë spostimi i gomave që ishin të vendosura në anën e rrugës, janë prishur 6 tezga buzë rrugës. Po gjatë kësaj jave u ndërhy edhe në nyjen e Milotit ku u prishën 26 kioska të tregut ambulant ashtu sikurse një objekt 1 katësh i ndërtuar në kundërshtim me përcaktimet ligjore. Në mbikalimin e Dajlanit është ndërhyrë duke zhvendosur të 5 tabelat e mëdha të reklamimit. Gjatë kësaj jave aksioni do përqëndrohet në akset Rrogozhinë- Fier dhe Fushë-Krujë- Lezhë.

Artikulli paraprakNIS NGA E PARA LOTARIA AMERIKANE
Artikulli tjetërSTRATEGJIA E DIASPORËS, RAMA: TË DREJTË VOTE EMIGRANTËVE