Dy futbollistë të Vllaznisë janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës së 12-të të “Abissnet Superiore”. Stafi i trajnerëve të ekipeve Kombëtare ka analizuar paraqitjen e të gjithë lojtarëve në të pesë ndeshjet e kësaj jave dhe në fund kanë përzgjedhur edhe 11-shen e futbollistëve më të mirë. Pjesë e saj janë edhe portieri i Vllaznisë, Kristi Qarri për pritjet e bëra në ndeshjen ndaj Skënderbeut dhe poashtu edhe sulmuesi Kevin Dodaj për golin dhe lojën e tij në këtë takim. Pjesë e 11-shes janë edhe mbrojtësit Meksi i Dinamos, Abazaj i Bylisit, Opeh i Laçit dhe Ndreca i Egnatias. Për mesfushën janë përzgjedhur mes më të mirëve Lushkja i Egnatias, Lleshi i Laçit dhe Lloci i Teutës.
Ndërkohë në sulm, përveç Kevin Dodajt, janë përzgjedhur edhe dy futbollistët e Dinamos, Zabërgja dhe Bregu. Trajneri më i mirë i javës është zgjedhur ai i Dinamos, Ilir Daja. Në fakt, në këtë 11-she fare mirë mund të kishte vend edhe për futbollistë të tjerë të Vllaznisë, siç janë kapiteni Bekim Balaj, Esat Mala apo edhe Klinti Qato, të cilët ishin vendimtarë në sfidën ndaj Skënderbeut, por gjithsesi ndoshta në javët e ardhshme mund të përfshihen edhe ata.
Për Dodajn dhe Qarrin, kjo është hera e dytë që përfshihen në formacionin më të mirë të javës. Ndërkohë që, më parë në formacionin e javës nga Vllaznia kanë qenë edhe Esat Mala në tre herë të ndryshme, si edhe Juriç, Qato, Gurishta, Stojanoviç dhe Balaj nga një herë.