Shtatë kg kokainë e fshehur në një garazh është sekuestruar nga policia italiane.
Lënda narkotike do t’i bënte milionerë shitësit me pakicë. Nga shitja e saj në treg, raporton policia italiane, përfitimet me gjasë do të ishin rreth 2 milionë euro. Droga ishte e ndarë në 6 pako me peshë 1 kg e 154 gram secili, me peshë totale 7 kg kokainë e pastër. Ajo u kap nga agjentët e policisë në Arrezzo, duke çuar në pranga dy shqiptarë të moshave 25 dhe 42 vjeç, me iniciale A.E. dhe B.A., me leje të rregullt qëndrimi në Itali dhe deri më tani të pa përfshirë në vepra penale. Besohet se dy personat e arrestuar janë tregtarët më të rëndësishëm me shumicë në Arrezzo. Si nisën hetimet Banorët në Cortona Creti dhanë disa raporte për policinë, duke theksuar se në një vilë të braktisur afër varrezave kishin vënë re lëvizje të dyshimta dhe ardhje të vazhdueshme të automjeteve.
Policia nisi hetimet dhe vu re një garazh me tulla pranë shtëpisë thuajse të shkatërruar, duke gjetur një kuti plastike bosh. Ishte e qartë se një enë e madhe e fshehur me kujdes ishte vendosur aty për të mbajtur diçka të rëndësishme. Policia filloi monitorimin e zonës dhe të mërkurën dy automjete të drejtuara nga dy shqiptarë kanë shkuar pranë vendit nën vëzhgim. Pasi qëndruan disa minuta aty, shqiptarët janë ndarë dhe kanë vazhduar secili rrugën me makinat e tyre në drejtime të ndryshme. Policia zhvilloi kontrolle tek vendi, duke gjetur sasinë e kokainës. Menjëherë u lajmërua stacioni policor, duke arrestuar dy shqiptarët në rrugën Buonconte da Montefeltro në Arezzo. Sasia e drogës kushton rreth 600 mijë euro me çmim shumice. Dy shqiptarët janë dërguar në burg në pritje të vendimit të gjykatës.