Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi janë konstatuar duke lëvizur lirshëm me armë zjarri pa leje.
Blutë kanë prangosur një 20-vjeçar që kishte planifikuar të grabiste një market në Laknas, dhe një 25-vjeçar i cili qarkullonte me pistoletë.
Dy të rinj janë ndaluar nga policia me armë pa leje, madje njëri prej tyre kishte planifikuar të kryente dhe grabitjen e një marketi. Një 20-vjeçar në Laknas të Kamzës është pikasur duke lëvizur me biçikletë, ndërsa në çantën e shpinës mbante një automatik.
Sipas policisë i riu po përgatitej të hynte në një market të zonës për të kryer grabitje ndërsa është kapur në flagrancë. Gjatë kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, arma tip automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.
20-vjeçari tashmë akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes , dënim për të cilën parashikohet burgimi deri në 7 vjet.
Duke qarkulluar me armë zjarri pa leje në Tiranë është kapur dhe një 25-vjeçar në Vorë. I riu kishte telefonuar vetë policinë, pasi kishte dyshime se persona të paidentifikuar kishin shkuar për t’i grabitur banesën.
Policia bën me dije se ka kontrolluar personat që ai kishte dyshime ndërsa nuk është konstatuar pretendimi i 25-vjeçarit për grabitje. Blutë, të bazuar në veprimet dhe thëniet kontradiktore të shtetasit A. M., e kanë mbajtur nën vëzhgim prej disa orësh dhe më pas në aksin rrugor Sharke-Vorë kanë ndërhyrë duke e kontrolluar 25-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik atij iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Edhe ky shtetas do të përballet me drejtësinë ku për veprën penale të armëmbajtjes pa leje rrezikon deri në 7 vite heqje lirie.