Me dy superhëna të plota dhe me një shi të dendur yjesh, gushti i këtij viti ka lajmëruar se do të jetë mahnitës edhe në qill. E para superhënë që nisi muajin njihet si “Hëna e plotë e Sturgeon”, ndërsa e dyta do të mbyllë muajin dhe të gjithë verën. Më 31 gusht, qielli do të ndriçojë përsëri më shumë me atë që njihet si Hëna Blu, meqenëse do të jetë e dyta e plotë brenda një muaji.
Hëna “Sturgeon” është një super hënë e plotë, e dyta nga katër në verën e vitit 2023. Superhëna e plotë ndodh kur Hëna është në fazën e hënës së plotë dhe është në pikën e saj më të afërt me Tokën. Kjo është arsyeja pse ajo duket më e madhe dhe më mbresëlënëse. Admiruesit e saj mund ta vëzhgojnë Hënën me sy të lirë, sapo ajo të lindë, sepse atëherë ajo të jep ndjesinë sikur është më e madhe. Gushti i këtij viti na ofron edhe një superhënë, më 31 gusht. Duke qenë se do të jetë hëna e dytë e plotë që do të ndodhë në të njëjtin muaj, ajo quhet edhe “Hëna Blu“. Një superhënë të plotë dhe një hënë blu në të njëjtën kohë kanë qenë në dhjetor 2009, ndërsa rasti tjetër do të ndodhë pas nëntë vitesh, në gusht 2032. Fenomeni tjetër që nuk duhet humbur me qiellin e gushtit është ai i shiut të yjeve që bien. Edhe këtë vit, qielli do të shndrisë mes datave 11 dhe 13 gusht me një spektakël të jashtëzakonshëm hapësinor.
Midis dy hënave të plota të gushtit do të jetë edhe hëna e re më 16 gusht, e cila gjithashtu do të ketë diçka të veçantë: do të jetë një mikro hënë e re, që do të thotë se Hëna e re do të ndodhet pranë pikës së saj më të largët nga Toka. Superhëna e parë e plotë e vitit 2023 ishte më 3 korrik dhe superhëna e fundit e plotë e vitit pritet më 29 shtator.