Ditën e djeshme në rrjetet sociale është shpërndarë me shpejtësi një video, në të cilën dy të rinj shihen duke dhunuar bustin e artistit të ndjerë, Françesk Radi. Në pamjet e publikuara njëri prej adoleshentëve shfaqet i hipur mbi bust, ndërkohë që tjetri tenton të heqë nga duart e Françeskut kitarën e tij.
Lidhur me këtë ngajrje të shëmtuar ka reaguar dhe mbesa e artistit, Rozana Radi.
Rozana ka publikuar në ‘Instagram’ një foto të shkëputur nga videoja dhe ka shkruar disa fjalë për dy djemtë.
“Është bërë virale sot një video, ku dy adoleshentë dhunojnë bustin e kantautorit Françesk Radi. Përveç lidhjes familjare, sot dua të flas si qytetare e këtij vendi në të cilin dua të rris nesër fëmijët e mi. Dua të flas si një dashamirëse e muzikës. E kam pare që në orët e para të paradites këtë video dhe ende jam në pritje që “Policia do t’i identifikojë autorët” të cilët do të vihen përpara përgjegjësisë!
Keqardhje e madhe për këtë brez që po rritet në Shqipëri. Do isha shumë kurioze t’i njihja nga afër këta dy adoleshentë e t’i pyesja se çfarë ju bëri busti i një artisti, i cili i dha aq shumë muzikë Shqipërisë. Në moshën tuaj Franko pas shkolle merrte këtë kitarë që ju po përpiqeni t’ja hiqni nga duart dhe këndonte. E internuan e larguan nga nëna nga babai nga motrat nga vëllezërit, por kitarën nuk ja hoqën dot.
Nuk di në cilën fytyrë t’ju pështy e t’ju tregoj gjithë zemërimin tim të vajzës, të djalit, të bashkëshortes, por më shumë të spektatorit që Franko i dha gjithë rininë . A i keni bërë pyetjen vetes nëse i keni lumturuar me këtë gjest familjarët tuaj?A janë krenarë për atë që ata përfaqësojnë….Sot është dhunuar një vlerë publike. Nesër një tjetër e një tjetër…Ju lutem të gjithëve ta marrin këtë foto të turpshme e ta postojnë me hashtagun #mambroartistin”, shkruan Rozana në mbyllje të reagimit të saj.