Ekzekutori i dy të rinjve në Shkozet të Durrësit dyshohet se ishte profesionist dhe i paguar. Grupi hetimor dyshon se vrasja ishte e porositur, ndërsa pistat e hetimit janë prishja e pazareve të drogës dhe konfliktet e vjetra. Dhjetëra persona janë marrë në pyetje, por policia nuk ka asnjë të ndaluar për krimin.
Vrasja e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, në Shkozet të Durrësit dyshohet se u krye me porosi, ndërsa ekzekutori ishte profesionist, bazuar në dinamikën e krimit.
Ekzekutim mafioz-Dy të rinjtë po lëviznin në këmbë, kur u qëlluan me pistoletë nga një makinë me shpejtësi të ulët nga rreth 3 metra largësi.
35 vjeçari Shkoza ka marrë plumba në trup dhe një kokë çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme, ndërsa 24 vjeçari Avdia vdiq rrugës për në spitalin e Durrësit.
Ekzekutimi i stilit mafioz ndodhi në një kohë kur në zonë kishte kalimtarë të shumtë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar aksidentalë.
Objektivi Dorjan Shkoza-Dyshimet janë se shënjestra e atentatit ishte 35 vjeçari Shkoza, i cili rezulton person i dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Ai ka qenë i arrestuar me rreth gjysmë kilogrami drogë në zonën e Plepave, ndërsa ka qenë i përfshirë edhe në një aksident me vdekje në vitin 2015.
Ndërsa Anxhelo Avdia, kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia.
Pistat e hetimit-Ndaj edhe pistat kryesore të hetimit që po ndiqen për zbardhjen e ngjarjes janë ajo e larjes së hesapeve të vjetra, por nuk përjashtohet konflikte të tjera të të rinjve.
Krimi u shënua pranë një servisi që 35 vjeçari Shkoza kishte marrë me qira në zonën e Nishtullës.
Dyshimet janë se autorët, i kanë studiuar lëvizjet e tyre dhe mund të kenë patur edhe bashkëpunëtorë në zonë që i kanë informuar.
Disa dhjetëra persona, dëshmitarë dhe të afërm të viktimave u shoqëruan në polici në funksion të zbardhjes së krimit. Ata janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
Makina e djegur-Pas vrasjes, një automjet i vjedhur që dyshohet se u përdor për vrasjen u gjet i djegur në Rrogozhinë.
Mjeti u ekzaminua nga ekspertët në kërkim të provave dhe nuk ka informacion nëse kanë arritur të sigurojnë materiale të vlefshme për identifikimin e autorëve, pasi djegia i dëmton.
Ndërkohë mësohet se janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në një zonë të gjerë për të gjetur gjurmë të autorëve.
Shkoza i cili ka qenë i dënuar me 8 vjet burg ka në pronësi edhe një pikë servisi makinash në zonën ku ka ndodhur dhe ngjarja ndërsa Avdia sapo ishte kthyer nga Londra