Një debat mes n/kryetarit të bashkisë dhe një punonjësi të Prefekturës ka përfunduar në dhunë brenda institucionit.
Mesohet se topografi i Prefekturës Shefqet Alikaj debatoi me n/kryetarin e bashkisë Aurel Lapaj në zyrën e këtij të fundit, ndërsa më pas e goditi me grushte.
Ne pamjet nga zyra e n/kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës duken njollat e gjakut nga përplasja fizike mes dy zyrtarëve vendorë. Aurel Lapaj pas ngjarjes ka shkuar i gjakosur duke bërë denoncimin në komisariat, ndërsa punonjësi i Prefekturës ende nuk është ndaluar.
Nga përplasja të dy kanë mbetur të lënduar dhe aktualisht po marrin ndihmë në spital. Kryetarja e bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami përmes një deklarate për mediat dënoi dhunën e ushtruar, ndërsa kërkoi që autori të vendoset para drejtësisë sa më shpejt.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në bashkinë e Gjirokastër. Aurel Lapaj është goditur dhe dhunuar në zyrën e tij. Vlerësoj bashkëpunimin me policinë dhe i bëj thirrje organit të akuzës që të zbardhë ngjarjen dhe ta vendosë para drejtësisë,tha Rami”
Prefektura drejtohet nga PS, ndërsa bashkia e Gjirokastrës nga Zamira Rami, përfaqësuese e zgjedhur nga radhët e LSI.