Studiuesi dhe njëkohësisht shefi i Departamentit të Gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, Panajot Barka dyshohet se ka tentuar të fusë në territorin shqiptar libra me përmbajtje anti-shqiptare.
Gjatë një kontrolli rastësor, policia e kufirit gjeti në bagazhin e makinës së studiuesit rreth 20 libra, të cilët dyshoheshin për flisnin për Vorio-Epirin. Barka ishte me gruan në makinë kur iu gjetën librat për të cilat u tha se ishin për bibliotekën e Universitetit ‘Eqerem Çabej’.
Librat i janë çuar Prokurorisë së Gjirokastrës ndërsa studiuesi Barka dhe bashkëshortja e tij janë lënë të lirë.
Barka ka sqaruar se shkoi në doganën e Kakavijës për të marrë tre kuti me libra të dërguara nga Universiteti i Janinës.
“Librat i kam deklaruar në doganë me vullnetin tim të plotë. Doganierët më shpjeguan procedurën që ndiqet sa herë që përballen me raste të ngjashme. Ishin doganierët ata të cilët hapën kutitë dhe panë librat.
Ndërkohë më vonë në procesin e kqyrjes së librave u përfshi edhe policia gjë për të cilën nuk e mora vesh përse.
Deklaroj me përgjegjësi të plotë se asnjë prej këtyre librave nuk ka përmbajtje anti-shqiptare,”-deklaroi Panajot Barka