Dyshimet për përfshirjen e uniformave blu në narkotrafik. Prokuroria kërkon komunikimet e Interforcës me Policinë .
Në vijim të hetimit për veprimet dhe mosveprimet e policisë në një sërë operacionesh antikanabis, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar të gjitha materialet që Interforza i ka kaluar Policisë Shqiptare. Organi i akuzës dyshon se në disa raste, pavarësisht marrjes së informacionit të saktë nga INTERFORZA, policia nuk ka ndërhyrë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga homologët italianë filmimet e të gjitha fluturimeve të avionëve të Interforcës ku janë fiksuar parcelat e hashashit në zona të ndryshme të Shqipërisë. Arsyeja nuk është informimi për hartën e saktë të “Arit jeshil”, por një verifikimin i informacioneve që kanë patur policia dhe verifikim i dyshimit se në raste të caktuara këto informacione ose janë përdorur në mënyrë selektive, ose janë dekonspiruar. Kërkesa i është bërë gjatë vizitës në Shqipëri Kryeprokuorit të Antimafias së Leçes Kataldo Motës, nga Kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj në një takim larg vëmendjes së mediave të zhvilluar mes dy krerëve të institucioneve hetimore. ABC Neës ka mësuar se Hajdarmataj ka kërkuar qartazi nga kolegu i tij që t’i dorëzohet Prokurorisë së Krimeve të Rënda raporti e Interfocës bashkë me filmimet e pamjeve të parcelave të hashashit në Shqipëri të marra gjatë fluturimeve këtë vit. Kjo pasi Prokuroria dyshon se në disa raste edhe pse është njoftuar Policia nga Interforca për parcela të hashashit, uniformat blu nuk kanë ndërhyrë. Ky dyshim është ngritur pas operacioneve të Prokurorisë në Vlorë, Mat, Pult të Dukagjinit dhe Kolonjë. Në këto katër raste Prokuroria dyshon se policia është informuar nga Interforza për parcelat e hashashit. Pas mos ndërhyrjes së policisë, operacionet u kryen me urdhër të Prokurorisë, duke zbuluar disa tonelata hashash e parcela të paprera. Nëse ky dyshim i Prokurorisë provohet, rrezikohet që të ngrihen akuza ndaj drejtuesve apo zyrtarëve të policisë për shpërdorim detyre për shkak të mos ndërhyrjes në zonat e kultivuara me kanabis. Prej disa muajsh duket se organi i akuzës dhe policia janë në një luftë të ftohtë, të lidhur me çështjen e kanabisit. Edhe pse e mbetur pa deklarime publike, hetimi nën të cilin janë vënë veprimet dhe mosveprimet e policisë në disa prej rasteve të kultivimit të bimeve narkotike, ka nisur që prej gati 6 muajsh, por deri më tani në pranga kanë përfunduar në disa raste sporadike inspektorë policie të zonave të ndryshme, por jo “Peshq” të medhenj.