Shoqatat e ish të përndjekurve politikë dyshojnë për ekzistencën e një varri masiv pranë Kalasë së Gjirokastrës. Pranë kësaj zone janë pushkatuar, vrarë dhe varrosur të dënuar politikë të diktaturës komuniste.
Sipas ish të përndjekurve, varri masiv mendohet të jetë nga më të mëdhenjtë në vend pasi janë groposur dhjetëra në mos qindra ish të burgosur politik, të cilët kanë vuajtur dënimet në ish burgun famëkeq të Gjirokastrës në vitet 1944-1967 apo si quhej rëndom në atë periudhë, tek “7 penxheret”.
Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Nebil Çika, ka bërë apel për vullnet politik me qëllim fillimin sa më parë të punës për gjetjen e eshtrave të ish të përndjekurve politik, të ekzekutuar dhe groposur në një varr të vetëm masiv.
Sipas tij, dyshimet për ekzistencën e kësaj varreze masive janë përforcuar nga dëshmitë e banorëve gjirokastritë, kryesisht atyre të moçëm, që kanë parë në distancë se çfarë bëhej me të burgosurit politik të periudhës së diktaturës.
Çika ka kërkuar nga organizatat europiane, të ndërhyjnë menjëherë për fillimin e punës në terren për zbulimin e eshtrave të ish të dënuarve politik pasi siç dihet, zbulimi gjurmëve dhe eshtrave të tyre, është një nga kushtet e reja të vendosura nga bashkësia europianoperëndimore, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Është e papranueshme sot ku më shumë se 4 mijë shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi diktatorial, nuk kanë varre dhe për këtë, le t’a fillojmë nga Gjirokastra me daljen në dritë të varrezës masive-ështe shprehur Çika.
Ndërsa kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko, tha se do t’i kërkohet Bashkisë së qytetit që pjesa e torturave dhe krimit komunist, do të duhet të bëhet pjesë e peligrinazheve me qëllim që shqiptarët dhe të huajt, të njihen me krimet e komunistëve.