Sot gjithçka është mbyllur në të gjithë vendin. Kjo do të jetë fundjava e fundit ku nuk do të ketë asnjë lëvizje dhe asgjë hapur, teksa të gjithë qytetarët do të qëndrojnë 40 orë brenda. Karantina e gjatë nisi dje në orën 13:00 për të vijuar sot dhe deri të hënën në mëngjes në 05:00. Ndërkohë që nga e hëna, fasha orare do të zgjatet deri 17:30, autorizimet për leje-dalje për pazar do të jenë 90 minuta. Po ashtu farmacitë, marketet dhe bankat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:30.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije, po ashtu se në javën e ardhshme, gjithmonë nëse kurba do të ketë këtë trend rënie, do të shihet mundësia për të zgjeruar edhe lëvizjen me makina private të kompanive që lejohen të qëndrojnë të hapura. Masa lehtësuese, do të shoqërohen me ndëshkime më të ashpra, për të cilat qeveria ka paralajmëruar ndryshime të kodit penal dhe rrugor.
Gjithashtu java që vjen pritet që të jetë e mbushur me zhvillime, pasi do të prezantohet paketa e zgjeruar financiare, ku do të përfshihen edhe bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, por kanë pasur dëme ekonomike si pasojë e kësaj situate (agjenci turistike, rrobaqepësi e mobilieri të vogla, hidraulikë, elektricistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të licencuar), do të përfshihet gjithashtu biznesi i madh, sektori turistik dhe fasoneritë.
Fundi i majit, është parashikimi i bërë nga Task Forca, ku jeta mund t’i kthehet në vija të përgjithshme jetës normale, ku parashikohet të hapet pjesa më e madhe e bizneseve, por me rregulla të mirëpërcaktuar. Për do të hartohet edhe një rregullore me standardet bazë për këtë biznese që do të hapen në javët e mëtejshme.