Studentët u informuan për azilkërkimin ligjor.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer” dhe Qendrën Europiane në Shqipëri kanë organizuar ditën e mërkurë një workshop me temë “E drejta e Azilit” Qellimi i këtij workshop-i ishte informimi i studentëve të degëve Gazetari dhe Juridik për të drejtat që gëzon çdo individ për të kërkuar azil e për të emigruar në mënyrë ligjore në një vend tjetër.Paneli ligjërues i këtij aktiviteti përbëhej nga: Ina Xhepa – Drejtore e Qendrës Europiane, Migena Leskoviku – Zv.Dekane e UET-së dhe Michael Gumprich, përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Shqipëri. Ky takim fillimisht u zhvillua si një orë leksioni dhe më pas vazhdoi me pyetje e përgjigje, ku studentët pyetën për paqartësitë në lidhje me rrugën ligjore të azilkërkimit. Drejtori i fondacionit “Konrad Adenauer” në fund të këtij aktiviteti u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja e studentëve për vetë rëndësinë që ka kjo temë për shqiptarët. Sipas organizatorëve, aktiviteti i zhvilluar në Shkodër është vetëm fillimi i workshop-eve për azilin, pasi janë planifikuar një seri të takimesh të ngjashme me studentët e universiteteve në të gjithë vendin.
/ Star Plus TV /