ULTRANACIONALISTI I PËRGJIGJET KËRKESËS SË GJYKATËS PËR KRIME LUFTE. Ultranacionalisti serb,Vojisllav Sheshel, nuk ka ndërmend të kthehet në Hagë ku pritet të gjykohet për krime lufte.

Pas urdhrit të lëshuar të hënën nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, lideri i radikalëve serbë konfirmoi deklaratat e bërë që ditën e parë që rishkeli në Serbi, duke pretenduar se urdhri i Hagës erdhi me kërkesë nga Beogradi. “Siç e kam thënë dhe më parë, nuk kam ndërmend të kthehem me vullnet të lirë në burg. Nuk dua t’ja di për vendimin e tyre. Se çfarë do të ndodhë që tani e tutje është në dorë të regjimit serb, Nikoliçit dhe Vuçiçit. Por mendoj që kërkesa për rikthimin tim atje është bërë prej tyre, sepse e ndjejnë forcën e radikalëve serbë dhe ndihen të kërcënuar”. Por edhe pse akuzon krerët e shtetit, reagimi zyrtar i Serbisë tregon se vendi është i pakënaqur me urdhrin e Hagës. Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, tha se vendimi ishte dashakeq dha skandaloz, që vë në rrezik stabilitetin e Serbisë dhe gjithë rajonit. Gjykata e Hagës, aprovoi kërkesën e prokurorëve për të shfuqizuar lejen e përkohshme të Shesheljit, e cila iu dha për probleme shëndetësore nëntorin e kaluar.Dorëzimi i tij ndaj autoriteteve ndërkombëtare pritet të vërë në provë qeverinë e Vuçiç, që kërkon të afrohet më shumë me Perëndimin, por njëkohësisht mban qendrim radikal ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ruan lidhje të forta diplomatike dhe kulturore me Rusinë.

Artikulli paraprakSHKELEN RREGULLAT E QARKULLIMIT, ASKUSH NUK NDËRHYN
Artikulli tjetërE PASTREHA: MË KËRKUAN 5 MIJË EURO PËR SHTËPI