Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn. Në një postim në Facebook, ambasada e SHBA thotë se VanHorn dha mesazhin se është thelbësore zbatimi i plotë i reformës në drejtësi. VanHorn ka shprehur mbështetjen e SHBA për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Ata diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, shkruan ambasada.

Ministri e uroi VanHorn për detyrën e saj të re dhe diskutoi në mënyrë të hapur mbi ecurinë e reformës në drejtësi, përfshirë arritjet dhe sfidat e ardhshme. Të dyja palët ndanë qëndrimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë. Ministri e informoi znj. VanHorn mbi punën e shkëlqyer që po kryhet nga stafet teknike të të dy vendeve në Tiranë, për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit, që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë takimit, u ritheksua angazhimi i përbashkët për të punuar fuqimisht në forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, dhe sundimin e ligjit si rrugë e vetme drejt integrimit të Shqipërisë me Evropën.

Artikulli paraprakKONFERENCA “DIPLO 2024”, MINISTRI HASANI LAJMËRON KRIJIMIN E …
Artikulli tjetërKTHIMI I TRUMPIT APO FITORJA E HARRISIT? BALLKANIN MUND TA PRESIN NDRYSHIME