Në një veprim të paprecedentë dhe të qëllimtë, në vazhdën e sulmit dhe fushatës së baltës ndaj kreut të SPAK, Sali Berisha rrezikoi bashkëshorten e Altin Dumanit, duke i nxjerrë publikisht fotografinë e saj dhe duke e ekspozuar para krimit të organizuar. Kjo është një pamje e paprecedentë e Sali Berishës, teksa në vazhdën e fushatës së baltosjes ndaj kundërshtarëve të tij tashmë jo vetëm politikë, ekspozon një foto të kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe në krah, bashkëshorten e tij. Pamja e bashkëshortes së kreut të SPAK, institucionit që e ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-kryeministrin për korrupsion, u shfaq e plotë, pa filtrat që Report Tv ka vendosur, gjatë një konference për mediat të premten. Duke dashur të sulmojë Altin Dumanin se sipas tij nuk po thellon hetimet ndaj Erion Veliajt sepse nipi i gruas së tij, (pikërisht djali në foto të cilin gjithashtu Berisha e publikoi pa censurë), është ose ka qenë drejtor në Bashkinë e Tiranës, (vetë Berisha nuk ishte i qartë, me qëllim kreu i PD-së), bëri publike bashkëshorten e Dumanit.

E paprecedentë kjo, kur jo shumë larg në kohë, në intervistën e parë televizive kreu i SPAK tha më zë e figurë se kërcënimet nga krimi i organizuar janë rrezik për prokurorët. Ndryshe tha ai – nga kërcënimet e politikës është totalisht indiferent, e pikërisht i ndjerë se sulmet e tij ndaj SPAK e personalisht ndaj Dumanit nuk kanë bërë asnjë efekt, Sali Berisha zgjodhi të rrezikojë bashkëshorten e tij duke e ekspozuar përballë krimit dhe bandave, shumica e të cilëve në arrati si pasojë e goditjeve nga SPAK. Familja e Altin Dumanit, për shkak të funksionit të tij, është nën mbrojtjen strikte të strukturave të posaçme të ruajtjes fizike.

Fushata publike e baltës dhe e sulmit verbal të Sali Berishës ndaj Altin Dumanit po shtohet edhe më shumë pasi kreu i SPAK mori çmimin si një ndër 10 kampionët e luftës kundër korrupsionit për 2024-ën, nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, i njëjti që 3 vite më parë e shpalli Berishën non grata në SHBA për përfshirjen në veprime korruptive dhe përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij, familjarëve dhe aleatëve. Ky sulm i Berishës ndaj Dumanit se po mbron Erion Veliajt vjen pikërisht në kohën kur SPAK në kuadër të hetimeve pasurore ndaj kreut të bashkisë së Tiranës ka zhvilluar kontrolle e sekuestrime në banesën e tij, të familjarë dhe biznesin e bashkëshortes.

Artikulli paraprakU KAP NË FLAGRANCË DUKE VJEDHUR MATERIALE NDËRTIMI, ARRESTOHET 34-VJEÇARI
Artikulli tjetërFESTIVALI KTHEHET NË TRAGJEDI! SHPËRTHIM I FUQISHËM NË TAJLANDË, 3 TË VRARË DHE 48 TË PLAGOSUR