Një shtetas, emigrant i paligjshëm nga Siria është gjetur këtë mbrëmje pa shenja jete në malin e Moravës.
Paraprakisht dyshohet se viktima, e moshës rreth 27 vjeç, ka ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës, gjatë ecjes së tij në këmbë për të kaluar nëpërmjet shtigjeve.
Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërkohë që pritet ekspertiza nga mjekësia ligjore lidhur me rastin.
Malet e Korçës përdoren si një shteg për emigrantët e paligjshëm, që hyjnë në territorin tonë nga Greqia, për të udhëtuar drejt vendeve fqinj, ndërsa destinacion final kanë Perëndimin e Europës. Pothuajse çdo ditë policia në Korçë, Pogradec, Tiranë dhe në qytete të tjera identifikon shtetas sirian dhe nga vendet e tjera të Lindjes, që udhëtojnë në vendin tonë, me mjete që drejtohen kryesisht nga shqiptarë, që kundrejt pagesës u premtojnë kalimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë që fatkeqësisht nuk kanë munguar raste të tilla, që përpjekja e emigrantëve të paligjshëm të përfundojë në tragjedi. Në maj të këtë viti, në Durrës, dallgët e detit nxorën trupin e pajetë të një 25-vjeçari, i cili u mbyt në tentativë për t’u larguar në Itali përmes Portit të Durrësit.