Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës.

Familjarët e kallëzuan të humbur 50-vjeçarin, Policia, pas 10 ditësh kërkime dhe hetime intensive, zbardh ngjarjen.

Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakLEZHË, MAKINA DEL NGA RRUGA DHE PËRPLASET ME BARRIERËN ANËSORE, HUMB JETËN SHOFERI
Artikulli tjetërDITË ME VRANËSIRA DHE RESHJE SHIU LOKALE, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT