Bashkia Shkodër ka bërë të ditur situatën në territorin e saj për ditën e sotme sa i përket borës dhe ngricave.
Bashkia bën me dije se si rezultat i temperaturave të ulëta ka prezencë ngricash ndërkohë që njoftohet se fadromat e Ujësjellës Kanalizimeve po punojnë tek Zooteknika dhe te varrezat e dëshmorëve nën mbikëqyrjen e inspektorëve të lagjeve përkatëse.
Bashkia bën me dije se një fadromë po punon në njësinë administrative Rrethina dhe 2 mjete të Ujësjellës Kanalizimeve me punonjës po punojnë për shpërndarjen e kripës në rrugët e qytetit dhe pastrimin e trotuareve.
Për të vijuar me njësitë administrative bashkia Shkodër pretendon se në njësitë Dajç, Velipojë, Ana e Malit, Bërdicë, Rrethina nuk ka probleme në akset rrugore. Problemet nisin në njësinë Postribë ku sipas bashkisë Shkodër rrugët janë të hapura por ka prezencë ngricash dhe kalohen me vështirësi.
Në njësinë Guri i Zi në zonën malore ka prani të borës dhe ngricave duke sjellë vështirësi për banorët atje ndërsa raportohet edhe për ndërprerje të energjisë elektrike.
Më problem vijojnë të jenë zonat malore të Dukagjinit. Kështu bashkia Shkodër njofton se në njësinë administrative të Pultit ka prezencë bore dhe ngricash por vazhdon pastrimi i rrugës nga bora.
Një fadromë punon nga fshati Kir në drejtim të qendrës së Pultit. Në njësinë Shosh rruga është e bllokuar nga bora dhe akulli. Ka rreth 60-80 cm borë nëpër fshatra, mbi 100 cm borë në Malin e Shoshit. Mungon shërbimi shëndetësor.
Temperaturat e ulëta shkojnë deri në -10 gradë celciues dhe kanë krijuar akull edhe në rrugët këmbësore që përbën rrezik për banorët. Edhe në njësinë Shalë rruga është e bllokuar.
Ndërkohë problem në zonat ku ka prani bore, ngricash dhe ku akset rrugore janë të bllokuara mbetet procesi mësimor i cili për momentin vazhdon që të jetë i ndërprerë derisa situata të normalizohet.
Edhe në shkolla të tjera në qytet dhe afër qytetit ka numër të reduktuar nxënësish.