Pas 11 muajsh nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kryetari i PD Sali Berisha është sot në seancën plenare në Kuvend. Ai u shpreh se 11 muaj më parë u tentua të varrosej demokracia.
“Po mbaheni me shpirt ndër dhëmbë.
Unë erdha, ju e dini vetë…
E shoh çehren që u ka rënë, por ia bëtë vetes dhe ju qofshi.
Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë.
11 muaj më parë, me datën 21 dhjetor të vitit të kaluar, Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën, ëndrrën e tij atërore të një Shqipërie pa opozitë.
Në një vendim që zgjati gjithsej 8 minuta, me pasion dhe histeri të madhe, gjysma prej jush atë ditë tentuan të varrosin demokracinë, pluralizmin në Shqipëri.
Votuat duke më mohuar të drejtën e fjalës, sepse fjala ime tmerronte narkodiktatorin dhe shumë prej jush.
Votuat duke mbushur parlamentin me mbi 50 gardistë. Votuat pa më dhënë fjalën, me mendimin se kjo do ishte dita e fundit e Sali Berishës në parlamentin e Shqipërisë. Rikujtuat në këtë mënyrë se ishte dhjetor. Në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë.
Edi Rama, për të nderuar kujtimin e tij, zgjodhi pikërisht dhjetorin për të larguar Sali Berishën nga parlamenti, për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë dosje. Mirëpo i bëtë llogaritë të gabuara sepse nuk ishte viti 1946.
Është e vërtetë se ju për fatkeqësinë e kombit amerikan, kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha të lirisë të atij kombit dhe ndiqnin axhendën e Xhorxh Sorosit, kësaj monstre të njerëzimit, këtij armiku të egër të kombit amerikan, pastaj edhe miqve të tyre kudo.
Pra, ju me 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare.
Mirëpo, sot ja ku jam. Unë vij këtu me mesazhin e fitores. Vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores. Edi Rama nxin aty si Edi Metamorfoza, nxin si banor i bodrumeve më të zeza të mafies shqiptare.
Nxin si hajduti më i madh në historinë e kombit shqiptar. Nxin si armiku më i egër i qenies shqiptare në kohëra. Nxin sepse në 12 vite u angazhua me të gjitha mjetet për të dhunuar, për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve njëlloj si etërit e tij. U angazhua me çdo mjet për të vjedhur fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, për t’u bërë miliarder me pronat e shqiptarëve.
U angazhua në mënyrën më makabër kundër Kosovës, kundër interesit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, në zbatim të politikës së serbomadhnisë. U angazhua duke përdorur armiq persekutorët e presidentit Donald Trump, si McGonigal, kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.
U angazhua duke shpenzuar miliona lobime e mashtrime në të katër anët e botës kundër një opozite, e cila ishte në kod, në Kushtetutë dhe në çdo vend të lirë, pushteti moral i vendit dhe pa të cilën demokracia nuk mund të ekzistojë.”, u shpreh Berisha.