I gjithë komuniteti i medias është zgjuar me një lajm të trishtë mëngjesin e sotëm! Anila Dushi nuk jeton më! Gazetarja e mirënjohur e Shkodrës nuk e fitoi betejën ndaj COVID-19 duke ndërruar jetë në spitalin rajonal të Shkodrës. Pak ditë më parë 54-vjeçarja u infektua nga koronavirusi. Pavarësisht kujdesit të mjekëve në spitalin e Shkodrës Dushi nuk ia doli ta kalonte këtë moment të vështirë të jetës së saj.
54 vjeçarja vuante edhe nga disa sëmundje të tjera duke ia bërë edhe më të vështirë. Gazetarët e Shkodrës por edhe më gjërë dhe shumë miq të saj gjatë gjithë këtyre ditëve kur qëndroi në spital i qëndruan afër duke i dhënë forcë dhe kurajo që ta kapërcente edhe këtë moment por fati nuk e deshi që të jetonte më gjatë. Ky lajm i hidhur ka trishtuar këdo që e njohu sado pak gazetaren shkodrane.
Anila Dushi fillimisht ka kontribuar si mësuese në disa shkolla 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës deri në ditën e sotme kur ndërroi jetë teksa jepte mësim në shkollën “Ali Laçej”. Gazetarinë e nisi 28 vite më parë teksa u bë korrespondente gazetës “Albania”. Më pas bashkëpunoi me gazetat e famshme “Koha Jonë” dhe nga aty tek gazeta “Shekulli”. Shumë shpejt emri i saj u bë i njohur në Shkodër për shkrimet e forta në ato kohë të vështira edhe për botën e krimit që asokohe kontrollonte gjithçka.
Shpesh herë ishte pre e kërcënimeve të ndryshme dhe për shumë vite nuk jetoi e qetë për shkak të parimeve të saj në botën e medias që nuk i shkeli asnjëherë deri ditën e fundit që ndërroi jetë. Anila Dushi gjithashtu bashkëpunoi me televizionet kombëtare Tv Arbëria, A2 Televizion dhe vitet e fundit ishte pjesë edhe e televizioneve rajonale në Shkodër tek Tv1 Channel.
Për një periudhë mbi 3-vjeçare Anila Dushi ishte pjesë e rëndësishme e Star Plus Televizion duke kontribuar në faqen ëeb, atë të facebook, përçuese e lajmit të fundit por edhe me analizat e saj politike në ekranin e Star Plus Tv.
Gazetarja 54-vjeçare bashkëpunoi edhe me agjencinë investigative të lajmeve BIRN ndërsa prej kohësh krijoi edhe një hapësirë të saj duke u përshtatur me kohën përmes faqes gazeta Pjaca dhe sëfundmi provoi edhe si autore teksa shkroi një libër për artisten e madhe Pavlina Mani duke përmbushur një ëndërr të kahershme të saj.
Në duart e Anila Dushi u rritën breza të tërë nxënësish por edhe gazetarësh përmes këshillave të saj ndërsa qe edhe një ndihmesë e madhe dhe një pikë referimi sa i përket ngjarjeve historike të çfarëdo lloji. Anila Dushi i qëndroi deri në fund parimeve të saj, nuk e tradhëtoi asnjëherë profesionin dhe mendimet i shprehu haptazi.
Mori përsipër rreziqe të mëdha të cilat i kapërceu por sot nuk e kishte ditën e saj sepse COVID-19 e mposhti. Star Plus Tv i shpreh ngushëllimët familjarëve, të afërmve, miqve të shumtë, komunitetit të medias për këtë humbje të papritur! Anilë e dashur nuk do të mund të themi asnjëherë lamtumirë! Pushofsh në paqe!