Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Edmond Spatarit, tifozit të veçantë, klubi Vllaznia për turpin e tyre që nuk do ta shlyejnë asnjëherë nuk denjoi që t’i dërgojë të paktën një kurorë me lule tifozit që dha shpirtin në stadium. Tifozët që shoqëruan Mondin për vite me radhë në stadium sollën një kurorë me lule në respekt të mikut të tyre ashtu siç edhe të afërmit. Ndërkohë klubi Vllaznia nuk bëri as minimumin më të mundshëm për të respektuar në ceromoninë mortore Mondin.
Kjo kurorë e munguar e klubit Vllaznia nuk e zbeh aspak madhështinë e tifozit që u nda nga jeta por i mbulon ata me një turp të madh. Është e paimagjinueshme se si klubi Vllaznia të mos sjellë të paktën një kurorë për njeriun që dha shpirtin në stadiume në mbështetje të ekipit shkodran. Mondi nuk kurseu asgjë. Madje të gjitha të ardhurat e tij shkonin vetëm për flamuj, banderola për të zbukuar stadiumet dhe shalla e fanela të Vllaznisë e ndërsa klubi kuqeblu me një shpërfillje të neveritshme nga ana e tyre nuk sjell të paktën një kurorë me lule.
Po ashtu drejtuesit më të lartë të Vllaznisë bashkë me ekipin e Vllaznisë munguan në ceremoninë mortore të Mondit duke mos marrë pjesë në këtë lamtumirë të tij. Po ashtu edhe ish lojtarë shkodran të Vllaznisë nuk morën pjesë në këtë ceremoni duke e braktisur Mondit në ditën kur askush nuk duhet të mungonte. Këto sjellje arrogante të drejtuesve të Vllaznisë, vetë ekipit dhe kujtdo tjetër që nuk e respektoi në fakt e lënë të pastër figurën e Mondit duke mos e ndotur me praninë e tyre.
Është e qartë që nuk do të ndjehen në faj edhe pse ishin prezentë kur Mondi ditët e fundit të jetës vinte në stadium me paterica kur sëmundja e kishte vënë përpara. Nuk do të ndjehen në faj që nuk sollën një kurorë edhe pse e dinë fare mirë se Mondi dha jetën e tij për Vllazninë dhe sakrifikoi mes plumbash por edhe shkopa gome të policive në gjithë qytetet në vitet e vështira vetëm e vetëm për të mos munguar në stadium. Në këtë ditë e cila tregon shumë për karakterin e gjithsecilit, Mondi do mbetet i përjetshëm në stadium ndërsa të tjerët do të mbajnë mbi supe turpin dhe fytyrën e zezë. Harrojnë se tifozët janë rëra që mbeten përgjithmonë e të tjerët uji që largohet, por në këtë rast një ujë i ndotur! E rëndësishme është se Kujtimi i Mondit do jetë një krenari e përjetshme në sytë e Shkodrës e mbarë tifozërisë shqiptare!
E TURPSHME! KLUBI VLLAZNIA HARRON KURORËN PËR MONDIN!