Selman Aliaj, 29-vjeçari që vrau babain e tij Fejzo Aliaj pas një debati të ashpër për çështjen e të fejuarës, është dërguar si i pandehur në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 22 dhjetor 2017 në zonën e Shkozës së Tiranës, ku Selman Aliaj ka vrarë me çekiç babain e tij dhe trupin e pajetë të Fejzo Aliaj, e ka hedhur më pas në liqenin e Farkës, ku është gjetur nga kalimtarët e rastit.
I riu Aliaj ka dëshmuar gjatë fazës së hetimeve se gjatë shkarkimit të materialeve në oborrin e shtëpisë ishte me babain e tij. Rreth orës 17:00 të së dielës, i ati i tha se ai do të martohej dhe se gruan “do ta kishin përgjysmë”.
Në këtë moment, Aliaj e ka qëlluar të atin me një çekiç artizanal pas koke, duke bërë që ai të humbasë ndjenjat.
Më pas, e ka dërguar me mjetin e vëllait te Liqeni i Farkës dhe e ka goditur sërish në ballë me çekiç, pasi sipas tij, ishte ende gjallë. Trupin e ka hedhur në liqen dhe është larguar në drejtim të Kukësit. Ja çfarë tregon më konkretisht në dëshminë e tij 29-vjeçari Selman Aliaj.
“…më 22 dhjetor rreth orës 17:00, kam qenë duke ndihmuar babanë për të shkarkuar disa materiale të vjetra, që na i kishte sjellë tezja me një mjet, që ngarkon mallra. Materialet i kishim shkarkuar në oborr dhe po i sistemonim.
Babai më thotë në një moment se unë duhet të martohesha me vajzën, më të cilën më kishte fejuar ai, dhe se nusen do ta kishim përgjysmë. Në këtë moment mora një çekiç artizanal dhe e kam goditur fort pas koke.
Ai ka rënë pa ndjenja në tokë dhe më pas e kam marrë trupin, e kam mbështjellë me një batanije dhe e kam ngarkuar në bagazhin e makinës së vëllait, i cili jeton në Gjermani.
Kam shkuar deri në afërsi të Liqenit të Farkës dhe aty kam hapur bagazhin, por trupi i tij po lëvizte. Kam marrë sërish çekiçin dhe e kam goditur fort në ballë. Pastaj e kam nxjerrë trupin nga bagazhi i automjetit dhe e kam hedhur në Liqenin e Farkës.
Kam hipur në makinë dhe kam ndërruar rrobat duke veshur disa të tjera të pastra. Rrobat, me të cilat kisha kryer vrasjen, i kam hedhur në një kosh mbeturinash që ishte aty pranë Liqenit.
Më pas, jam nisur me automjetin e vëllait drejt “Rrugës së Elbasanit”. Aty kam qëndruar për disa kohë në një fast-food ku kam konsumuar tri sufllaqe. Pas kësaj, jam nisur pa folur me njeri drejt Kukësit.
Gjatë rrugës jam telefonuar nga motra që më pyeste se ku isha. I thashë që nuk dua të flas dhe se nuk vij në shtëpi se isha larg. Të nesërmen kam vendosur që të kthehem dhe kam komunikuar me të shtëpisë, të cilëve u kam thënë se ndodhesha në zonën e Kamzës dhe se po kthehesha.
Aty më ka ndaluar Policia dhe jam arrestuar. Me babain kam pasur shumë konflikte, sidomos pasi më detyroi të fejohem pa pëlqimin tim. Kam dashur gjithmonë që të shkoj në Gjermani te vëllai dhe të fejohem andej.
Fejesa pa dëshirë ka qenë burimi i konfliktit. Im atë më fyente dhe më shante shpesh. Ai nuk sillej aspak mirë me mua. Një konflikt tjetër me tim atë ka qenë për disa hardhi rrushi, të cilat ai i preu edhe pse unë i kisha kërkuar që të mos i priste.
Im atë ka qenë i martuar tri herë më parë dhe ishte divorcuar edhe nga nëna, edhe pse jetonim bashkë…”- ka rrëfyer 28-vjeçari para Policisë.