Skena të ngjashme me ato të filmave aksion janë regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Korçë-Elbasan, ku një 27 vjeçar ka çarë tre postblloqe policie për t’i shpëtuar arrestimit.
Gjatë arratise së çmendur, ai përplasi disa makina duke lënë të plagosur 5 persona, mes të cilëve edhe një efektiv policie.
Ky aksident masiv me pasojë pesë të plagosur është përfundimi i një ndjekje të çmendur si nëpër filma e një 27 vjeçari në kërkim nga Korça në Elbasan.
Protagonist i ngjarjes është Aldiron Shehu nga Gjirokastra, person që rezulton në kërkim për kultivim e shitje të narkotikëve.
27 vjeçari e ka nisur sfidën ndaj autoriteteve në Korçë, ndërsa deri në Elbasan ai ka çarë tre postblloqe policore, duke rrezikuar edhe jetën e uniformave blu që ishin angazhuar për ta kapur.
Fillimisht ai nuk i është bindur policisë në Korçë, e më pas në Pogradec, ndërsa ishte në ndjekje, ka çarë me mjetin e tij Pasat me targa greke edhe një postbllok në Librazhd.
Arratisja e çmendur ka vene në alarm autoritetet policore, të cilët më pas i kanë ngritur një postbllok në Krastë të Elbasanit.
Por në këtë pikë, 27 vjeçari sipas raportimeve ka hedhur në rrugë një zinxhirë me gozhdë për të penguar ndjekjen nga një makinë me efektivë që i ishte vënë pas që prej Korçës.
Ndërsa ka goditur një makinë të Policisë në Postbllok e më pas dy mjetet të tjera në rrugë.
Përplasja ka qenë e fortë e për pasojë një prej mjeteve përfundoi e përmbysur në rrugë dhe 5 persona mbetën të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë aksident në shumëfishtë përfundoi në pranga edhe vetë 27 vjecari Shehu.
Nga kontrolli i mjetit nuk u gjetën armë apo lëndë narkotike por vetëm disa targa automjetesh që po verifikohen.
I riu ndërkohë rezulton se një sfidë të tillë ndaj policie e ka bërë edhe në vitin 2018, kur nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.
Policia e Shtetit mohoi të ketë patur të shtëna me armë në këtë ngjarje siç edhe u raportua fillimisht nga vendngjarja.
Aldiron Shehu, i cili shkaktoi aksidentin në Krastë të Elbasanit është marrë në pyetje nga policia.
27-vjeçari ka deklaruar se “një fuoristradë më është vënë nga pas që në Devoll dhe u detyrova të largohem me shpejtësi. Kam ecur me shpejtësi dhe nuk kam ndaluar në asnjë postbllok të Policisë”.
Policia është duke verifikuar deklaratën e 27-vjeçarit, i cili shkaktoi aksidentin ku mbetën të plagosur 5 persona.Ndërkohë efektivi i Policisë, Eugen Abdurrazaku që mbeti i plagosur në aksident është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.