18 maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeve, në Shkodër iu kushtua nxënësve të shkollave të qytetit.
Dhjetëra prej tyre zgjodhën të luanin në ambientet e jashtme, ndërsa një hapësirë e brendshme e muzeut i ishte kushtuar kukullave plastike, makinave të vogla si dhe lojërave formuese apo të bëra vetë, të gjitha para viteve ‘90. Nën moton “Edhe ne luanim dikur” shumë të rritur gjithashtu kujtuan me nostalgji lodrat e fëmijërisë së tyre.
Një aktivitet i tillë me natyrë pedagogjiko-edukative dhe sensibilizuese për brezin e ri u mbështet nga institucioni i Bashkisë Shkodër dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare.
Që nga viti 1977, Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka përcaktuar 18 majin si ditë ndërkombëtare të muzeve. Në vendin tonë kjo datë është kthyer në një traditë të përvitshme që nga viti 2005, ku synimi kryesor është rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e muzeve për zhvillimin e shoqërisë sonë.