Kryeministri Edi Rama ka firmosur zyrtarisht pezullimin e të gjitha lejeve të ndërtimit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Vendim ky i marrë në mbledhjen e fundit të këshillit kombëtar të territorit, që drejtohet nga shefi I qeverisë Edi Rama. Në vendimin përcaktohet se deri në miratimin e planeve të reja vendore nuk mund të jepet asnjë leje ndërtimi për pallate.
Po vendimi në pikën dy te tij parashikon edhe përjashtime për punime në struktura publike, infrastrukturë, në ndërtime për banim, po ashtu mund të bëhen ndërhyrje me karakter emergjent apo struktura me interes publik dhe kombëtar. Këshilli Kombëtar i Territorit bën me dije se çdo leje ndërtimi e dhënë pas këtij vendimi do të konsiderohet nul dhe e pavlefshme. Ky këshill u ka kërkuar 61 njësive vendore të punojnë për planet e reja zhvillimore. Deri tani 26 bashki kanë nisur punën për planet zhvillimore vendore nga këto njësi 5 drejtohen nga të djathtët. Pezullimi i lejeve të ndërtimit u lajmërua fillimisht nga kryetari i ri i bashkisë Erjon Veliaj i cili premtoi planin zhvillimor për Tiranën brenda 1 viti. Sipas Veliajt ky vendim u mor pasi plani i vjetër për kryeqytetin ka rënë ndërsa sqaroi se lejet e dhëna do të kalojnë në një sitë për të verifikuar ligjshmërinë e tyre .