Është mëngjes, protestuesit shkodranë kanë zgjedhur të mblidhen në sheshin “Demokracia”, ndërsa destinacioni është Tirana, protesta mbarëpopullore e opozitës.
10 autobus dhe dhjetëra automjete të vogla nga i gjithë Qarku Shkodër. Në total janë rreth 5 mijë persona nga Shkodra që i bashkohen revoltës së opozitës, e cila synon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Për deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, arsyet për të protestuar janë më mijëra, për të hequr njëherë e përgjithmonë nga pushteti Edi Ramën.
Kryetari i PD Shkodër, Ramiz Çobaj, shprehet se nëse protestuesit do të provokohen, përgjegjësia bie mbi Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe Kryeministrin Edi Rama.
Përgjatë rrugës, protestuesit janë ndaluar nga Policia Rrugore për të kryer kontrolle rutinë, megjithatë kanë vijuar udhëtimi drejt Tiranës, për t’iu bashkuar shqiptarëve të tjerë nga e gjithë Shqipëria në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.