Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka komentuar skandalin me çështjen Dajti, ku gjyqtarët i hoqën dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve, pasi i pranuan gjykimin e shkurtuar.
Kryeministri i ka quajtur gjyqtarët njerëz të ligj dhe të korruptuar, por që nuk do të mund të shpëtojnë nga reformimi i sistemit gjyqësor.
“Kriminelë me kostum dhe me kravatë”, i quajti ai më tej, teksa tregoi vendosmëri se qeveria nuk do të ndalet në betejën që ka nisur edhe ndaj këtij vendimi skandaloz ku deri më tani është kërkuar shkarkimi i gjyqtarëve.
“Njerëz të ligj dhe të korruptuar të cilët nuk janë vetëm ata po janë plot që duke parë se ju ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë po i bien me top. Po kryejnë një akt kriminal, se faktikisht i rivranë 4 policët.
Ne nuk do ti ndahemi kësaj çështje që ta zhbëjmë duke bërë të gjithë presionin e nevojshëm por edhe këta gjykatës besoj nuk do t’ja dalin të shpëtojnë kaq lehtë.
Më ka ardhur keq për atë që ka ndodhur por nga ana tjetër janë gjëra që nuk më çudisin sepse ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë si askush nuk e ka menduar për të pastruar kancerin nga gjithë organizmi i sistemit tonë të drejtësisë duke shkulur nga trupi i sistemit tumore dhe metastaza”, u shpreh kreu i qeverisë