Pamjet që vijnë prej luftës mes Izraelit dhe Hamasit ngjallin trishtim, dhembshuri por edhe frikë e shqetësim. Lajmet se një tjetër luftë ka nisur, ndërkohë që në Ukrainë ende vijon konflikti i armatosur, e bën luftën që mos të jetë më thjesht një mendim i largët.

“Luftrat kanë qenë dhe janë të pranishme në jetën e njerëzimit por kanë qenë larg nesh. Por e veçanta e kohës së sotme është që lufta është afruar rreth nesh, luftrat janë zhvendosur në Europë, luftrat po vijnë te ne dhe kjo e rrit ndjeshmërinë tonë ndaj tyre. Lufta në vetvete është një vazhdim i konfliktit por në një nivel më të lartë”, thotë sociologu Edmond Dragoti.

Sociologët shpjegojnë se ndonëse për Shqipërinë lufta nuk është një kërcënim që qëndron pas portës, sërish ngjarjet që ndodhin në botë, arrijnë që në shoqëri të ngjallin ndjenjën e pasigurisë.

“Lufta na shton jo vetëm pasigurinë por dhe paaftësinë për të parashikuar se cdo të ndodhë me ty. Kjo e rrit tensionin maksimalisht. Nuk është më periudha e luftrave të ftohta që zgjidheshin ose shtyheshin me marrveshje dhe me bashkëpunim të elitave të vendeve, të popujve apo shteteve por tani ato janë të mundshme për tu prekur nga secili prej nesh. Dhe mundësia për të qenë viktimë e një lufte tani është dhe më e madhe dhe paaftësia për tu organizuar për ta përballuar atë në momentin e parë është ajo që ndikon më tepër dhe godet në psikikën e secilit prej nesh. Domethënë stresi individual tashmë kthehet në stres social, shoqëror dhe kombëtar”, shpjegon sociologu.

Koha në të cilën po jetojmë, me përdorimin e rrjeteve sociale, ku çdo gjë shpërndahet me shpejtësi dhe pa filtër, sjell sërish në vëmendje rëndësinë e burimeve të besueshme të informacionit, për të marrë informacione të sakta por edhe për të mos ngritur shqetësim tek moshat e vogla me pamje e rënda që vijnë prej realitetit të hidhur të një lufte.

Artikulli paraprakSHTOHET NUMRI I KREDIVE ME PROBLEME NË GUSHT
Artikulli tjetërDREJTORI I POLICISË VENDORE SHKODËR HODAJ: RRETH 600 MIJË TURISTË MË SHUMË SE NË 2022