Egnatia fitoi 0-1 me Tiranën në “Elbasan Arena” dhe mori trofeun e parë të Kupës së Shqipërisë. Pas 120 minutave lojë, vendosi penalltia e Jackson në të 114′. Për herë të parë në histori, Egnatia ia doli të sigurojë një trofe madhor, duke mbyllur një sezon fantastik pas pjesëmarrjes në Conference League.
Ndeshja nisi e kujdesshme për dy skuadrat, që nuk kërkuan të linin hapësira pas. Me disa raste sporadike, dueli do shënjohej në të 25 minutë, kur Elvi Berisha doli me karton të kuq te Tirana. Pas një ndërhyrje në kohë vonesë, kryesori Enea Jorgji nuk ngurroi t’i tregonte kartonin e kuq direkt sulmuesit anësor. Pas këtij momenti, ishte Egnatia që mori frenat e lojës, por pjesa e parë u mbyll 0-0. Në 45 minutat e dyta Tirana kishte disa mundësi, me Hilën që pretendoi për 11 metërsh, por nuk u akordua nga VAR. Në të 62 minutë, Jackson tronditi shtyllën e Tiranës, me Likën që ishte i mposhtur. Në të 77, Dwamena shënoi te Egnatia, me VAR që anulloi golin për pozicion jashtë loje.
Me 90 minutat që u mbyllën 0-0, dueli shkoi në shtesë. Do duhej minuta e 114 që Jackson nga pika e bardhë të ndalte Likën pas dy tentativave. Ndërhyrja gabim e Hilës ishte deçizive në këtë përballje, me Egnatian që del me kokën lart nga ky duel. Nga ana tjetër, Tirana mbyll sezonin me zero tituj.