Dy ekipet e akademisë Vllaznia në ndeshjet e tyre të radhës kanë marrë një fitore dhe një humbje. U-17 ka fituar ndërsa U-19 është mundur. Sfidat e kësaj jave janë luajtur ndaj ekipit kryeqytetas të Akademisë. 17-vjeçarët e drejtuar nga Nefail Zhejani kanë arritur që të fitojnë me rezultatin 3-1 duke marrë një fitore me përmbysje.

Ndeshja nis më e mirë për vendasit të cilët arrijnë që të realizojnë në minutën e 21 me anë të Cenaj, një gol që vë në vështirësi kuqeblutë. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Akademisë. Në pjesën e dytë Vllaznia ndryshon totalisht dhe arrin që të realizojë 3 golat e fitores. Duhet të vijë minuta e 66 që rezultati të barazohet në 1-1 pas golit të realizuar nga Palushani. 4 minuta më pas shkodranët marrin hov dhe shënojnë edhe golin e dytë këtë radhë me anë të Rexhepit. Gjithçka merr fund në këtë përballje kur Smajli 15 minuta pa mbaruar loja realizon golin e tretë duke vulosur fitoren e Vllaznisë në shifrat 3-1. Pas kësaj fitoreje 17-vjeçarët arrijnë që të ngjiten në vendin e tretë në renditje me 8 pikë më pak se Shkëndija që kryeson kampionatin. Ndryshe nga U-17, 19-vjeçarët e Vllaznisë janë mundur në transfertë nga Akademia. Shkodranët kanë humbur me rezultatin 2-1. Vendasit kanë kaluar shpejt në avantazh duke realizuar golin e parë që në minutën e 20’ me anë të Bubës. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Akademinë. Pjesa e dytë nis më mirë për shkodranët të cilët nuk dorëzohen lehtë dhe barazojnë rezultatin me golin e shënuar nga Vecaj në minutën e 52’. Kur pritej që kuqeblutë të shënonin sërish për të marrë fitoren është Akademia me anë të Vatnikaj në minutën e 62’ duke bërë që krejt takimi të mbyllet në 2-1 në favorin e tyre. 19 vjeçarët pas kësaj humbjeje shkojnë në vendin e katërt në renditje me 16 pikë, 4 më pak se Partizani që kryeson këtë kampionat.

Artikulli paraprakBASKET FEMRA, BERRANIJA E DASHJA OFERTA NGA TIRANA
Artikulli tjetërVELEÇIKU MPOSHT TIRANA B, NE PERBALLJEN PER KAMPIONAT