Shkodranët kanë pësuar nga një gol në secilën pjesë, duke mos arritur as edhe një pikë në “Niko Dovana”. Takimi ka qenë i dominuar nga durrsakët, të cilët kanë rrezikuar disa herë porten shkodrane.

Nga ana tjetër, ekipi i Vllaznisë e nisi ndeshjen me ndryshime, ku portjeri Dragojeviç dhe mbrojtësi Cicmil nuk u aktivizuan për arsye se nuk janë federuar akoma në FSHF. Një veprim i tillë amator nga drejtuesit shkodran ka zhgënjyer tifozët, të cilët e “parashikuan’ humbjen. Kështu, formacioni i Vllaznisë ishte ky: Sherri, Gurishta, Haxhaj, Marku, Hakaj, Krymi, Borshi, Shtubina, Ahmeti, Lushtaku dhe Kdouh. Minutat e para të takimit “flasin” për Teutën, që rrezikon porten shkodrane. Në fillim Magani dhe më pas Lamçe i afrohen golit të parë të takimit. Provon edhe Dita, por godet dobët. Duhej të vinte minuta e 25-të që ekipi i Vllaznisë të rrezikonte për herë të parë porten e mbrojtur nga Rizvani, ku Shtubina do të provonte të gjente golin me anë të një kundërsulmi, por nga topi i dërguar në zonë nga ai nuk do të perfitonin as Kdouh e as Borshi. Menjëherë pas këtij aksioni, në minutën e 26-të do të realizohej goli i parë i takimit. Gjatë një goditje dënimi në favor të Teutës, topi shkon drejt zonës, ku përplaset me shyllën vertikale dhe kthehet mbrapa. Aty përfiton Erand Hoxha, i cili e shtyn në rrjetë duke kaluar në avantazh ekipin e Teutës. Pas golit të pësuar, shkodranët mundohen të reagojnë, ku në minutën e 32-të Hakaj kalon tre mbrojtës dhe godet fuqishëm, por pret Rizvani. Në minutën e 35-të, pas një gjuajtje të Gurishtes, shkodranët pretendojnë për një 11-metërsh, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor, i cili lejon vazhdimin e lojës. Minutat e fundit të pjesës së parë nuk do të sillnin ndryshim rezultati dhe do të mbylleshin me fitoren e Teutës. Pjesa e dytë nis me zëvendësim tek shkodranët, ku trajneri Zmijani aktivizon Kapaklijën në vend të Krymit. Në minutën e 52-të, durrsakët do të shënonin edhe golin e dytë, ku është Magani që shënon me kokë pas krosimit nga Kotobelli. Pas golit të dytë, shkodranët kryejnë edhe dy zëvendësimet e fundit, ku aktivizohen dy sulmuesit Kiri e Çinari dhe largohen Kdouh dhe mbrojtësi Haxhaj. Ky zëvendësim sposton në qendër të mbrojtjes Borshin, ndërsa sulm Çinarin dhe Kirin. Vllaznia tenton të shënojë golin e parë me Kapaklijën në minutën e 67-të, por topi i goditur nga ai kalon sipër shtyllës horizontale. Nga ana tjetër, Mihani dhe Hila rrezikojnë porten shkodrane dhe i afrohen golit të tretë. Në minutat e fundit, ekipi shkodran ka të gjitha mundësitë për të ngushtuar rezultatin, ku Kiri dhe Ahmeti janë fare pranë golit të parë, por gabojnë në finalizimin e aksionit. Edhe 3 minutat shtesë nuk sjellin ndryshim rezultati dhe takimi mbyllet me fitoren e Teutës. Me këtë fitore, durrsakët arrijnë në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Vllaznia nuk ka asnjë pikë, edhe pse me një ndeshje më pak. Në javën e tretë të kampionatit shqiptar, që do të zhvillohet pas dy ndeshjeve të kombëtares, ekipi i Vllaznisë do të përballet me Partizanin. Por më parë, me 9 Shtator, shkodranët do të luajnë ndaj Skënderbeut për takimin e prapambetur të javës së parë.

Artikulli paraprakZJARR NE MALIN E DRAGOCIT NE FSHATIN POSTRIBE.
Artikulli tjetërDEDVUKAJ: NJOLLAT E ZEZA DREJT ZHDUKJES NGA LISTA