50 ekspertët republikanë të sigurisë paralajmëruan përmes një letre të hapur se Donald Trump do të ishte presidenti më i papërgjegjshëm në historinë amerikane.

Sipas këtij grupi, në të cilin përfshihet ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden, Donald Trump nuk ka karakterin, vlerat dhe eksperiencën për t’u bërë president. Shumë prej personave që firmosën letrën, kishin refuzuar që të bënin diçka të ngjashme në mars. Në anën tjetër, Donald Trump, tha se ata ishin pjesë e elitës së dështuar të Uashingtonit që kërkon të ruajë pushtetin. Trump është distancuar nga shumë vite politikë e jashtme e republikanëve për disa çështje. Ai vuri në dyshim nëse SHBA-të duhet të respektojë angazhimin ndaj NATO-s, mbështeti përdorimin e torturës dhe sugjeroi se Korea e Jugut dhe Japonia duhet të armatosen me armë bërthamore. Komente të tilla kanë bërë që shumë republikanë të shpallin hapur se nuk do të mbështesin dhe letra është ngjarja më e fundit në këtë kuadër. “Ai dobëson autoritetin moral të SHBA si lider i botës së lirë. Duket se ai ka mungesa të njohurive bazë dhe besimit tek kushtetuta e SHBA, ligjet amerikane, institucionet amerikane, përfshirë tolerancën fetare, lirinë e shtypit dhe gjyqësorin e pavarur”,shkruhet në letrën e hapur, në të cilën thuhet se asnjë prej firmëtarëve nuk do të votojë për Trumpin. Ky i fundit, në një komunikatë për shtyp tha se populli amerikan duhet t’i kërkojë përgjigje emrave në letër për kaosin në botë. Sipas tij, tashmë çdo amerikan e di se kush meriton fajin për shndërrimin e botës në një vend kaq të rrezikshëm. Trump tha se është koha që këta njerëz të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Artikulli paraprakMBËRRIN NË RINAS NJË SHTATS TURK I DYSHIMTË
Artikulli tjetër“DELTAS” I IKIN DRITAT, MIJËRA PASAGJERË TË BLLOKUAR